- Home
- All Courses
- Social Entrepreneurship
- Fuqizimi për të mirë: Udhëzues për Sipërmarrësin Social – ALB
Mësim – Hapat e parë të një sipërmarrësi social
Mësim - Hapat e parë të një sipërmarrësi social
Përshëndetje dhe mirëseerdhët në episodin e tretë të MOOC “Fuqizimi për të mirë: Udhëzues për Sipërmarrësin Social”
Deri më tani, jemi futur në botën e sipërmarrjes sociale dhe ju keni mësuar se çfarë do të thotë të jesh sipërmarrës. Mirëpo, udhëtimi emocionues sapo ka filluar. Si të filloni, do të pyesni?
Hapi 1: Përcaktoni idenë e sipërmarrjes sociale
Në Hapin 1, fillojmë duke i dhënë formë idesë suaj për sipërmarrrjen sociale. Gjithçka fillon me të kuptuarit e elementeve thelbësore: nevoja sociale, vizioni, misioni social, objektivat operacionale dhe vlerat. Përcaktimi i nevojës sociale është thelbësor – ndihmon në identifikimin e problemit dhe i vendos themelet për misionin tuaj.
Bëjini vetes këto pyetje kryesore:
Cili është problemi?
Pse është problem?
Cilat janë shkaqet?
Sa serioz është ai?
Sa urgjent është problemi për t’u zgjidhur?
Cilat janë nevojat e përfituesve?
Le të marrim si shembull sipërmarrjen Ambrosia
Ambrosia është sipërmarrje për furnizim me ushqim (katering) që punëson gra nga komuniteti i margjinalizuar.
Cili është problemi? Ambrosia trajton paqëndrueshmërinë ekonomike dhe kushtet sfiduese të jetesës me të cilat përballen komunitetet e margjinalizuara.
Pse është problem? Ky është problem sepse çon në vështirësi, mungesë stabiliteti ekonomik dhe në një cikël varfërie në këto komunitete. Kjo e dëmton ndjeshëm cilësinë e jetës së tyre.
Çfarë e shkakton atë? Problemi lind nga faktorët socio-ekonomikë, infrastruktura joadekuate dhe aksesi i kufizuar në burimet dhe mundësitë bazë në komunitetet e margjinalizuara.
Serioziteti: Problemi është i rëndë, duke prekur mirëqenien dhe jetesën e këtyre komuniteteve, duke rezultuar në akses të kufizuar në burime dhe në cilësi të reduktuar të jetës.
Urgjenca për ta zgjidhur: Duhet veprim urgjent. Vonesa e veprimit do të përjetësonte vështirësitë e tyre dhe paqëndrueshmërinë ekonomike.
Nevojat e përfituesve? Përfituesit kanë nevojë për stabilitet ekonomik dhe mundësi. Nisma e Ambrosia synon t’u ofrojë punësim të rejave nga fshati, duke kontribuar në fuqizimin e tyre.
Vizioni përshkruan se si do të ishte bota nëse problemi social i synuar nuk do të ekzistonte më.
Misioni social përshkruan rolin aktiv dhe konkret të kompanisë në zgjidhjen e problemit të identifikuar. Vini re se një mision social korrespondon me një kontekst konkret. Nëse situata evoluon, edhe misioni do të duhet të evoluojë.
Objektivat operacionale janë veprimet që sipëmarrja juaj sociale do të ndërmarrë për të përmbushur misionin e saj.
Hapi 2: Të eksplorojmë tregun
Pasi të keni kuptuar projektin tuaj, hapi tjetër i rëndësishëm është të lidheni me individët që synoni të ndihmoni, si dhe përdoruesit dhe klientët tuaj, për të fituar njohuri për nevojat e tyre.
Merrni parasysh peizazhin më të gjerë: A ka organizata me mendimin e njëjtë në ekonominë sociale? Njihni partnerët ose konkurrentët e mundshëm për të siguruar sinergji e jo përçarje. Është jetike të vlerësoni ekosistemin.
Më pas, mblidhni dhe analizoni të dhënat për të thelluar të kuptuarit tuaj të tregut. Ky proces do të zbulojë anët e forta dhe të dobëta, do të nxjerrë në pah mundësitë dhe kërcënimet dhe do t’ju fuqizojë për të marrë vendime të mirë informuara.
Hapi 3: Krijimi i ofertës
Ndërsa projekti juaj po realizohet, strategjia juaj fiton saktësi dhe vizioni juaj për idenë tuaj të ndërmarrjes sociale bëhet më i qartë, së bashku me vlerën e saj të veçantë ose vlerën e propozimit.
Kjo nuk ka të bëjë vetëm me përshkrimin e shërbimit; ka të bëjë me atë që produkti ose shërbimi juaj do t’u japë me të vërtetë përfituesve tuaj. Duke qëndruar të përkushtuar ndaj këtij fokusi, do t’i rezistoni tundimit për t’i kënaqur të gjithë partnerët, do ta mbani ofertën tuaj të thjeshtë dhe do ta ruani qartësinë e saj.
Hapi 4: Testimi i ofertës
Hyni në Kanavacën e Modelit të Biznesit, një mjet i vlefshëm për ndërtimin e modelit tuaj të biznesit. Kjo tabelë, që gjendet në seksionin e burimeve, udhëzon zhvillimin e ndërmarrjes suaj sociale. “Kanavaca përfshin dymbëdhjetë pjesë, nga nevoja sociale deri te kanalet e shpërndarjes, dhe ju ndihmon të përgatisni projektin tuaj për prezantim.
Nevoja sociale
Partnerët e mundshëm strategjikë
Ndikimi juaj social ose mjedisor
Aktiviteti juaj i biznesit
Vlera e propozimit tuaj
Klientët dhe/ose përfituesit tuaj
Burimi juaj i të ardhurave sipas aktivitetit tuaj
Burimet tuaja
Kostot tuaja
burimet tuaja të të ardhurave
Marrëdhëniet me klientët/përfituesit
Kanalet e shpërndarjes
Hapi 5: Konsolidimi i ofertës dhe nisja
Me ofertën tuaj të vërtetuar nga klientët dhe përfituesit, tani është koha për të përmirësuar modelin tuaj të biznesit, për të regjistruar ndërmarrjen tuaj sociale, për të përcaktuar një buxhet dhe për të krijuar strategjinë tuaj të komunikimit, duke përfshirë emrin dhe logon tuaj.
Për të nisur lançimin e produktit tuaj dhe për të siguruar shitjet tuaja të para, do t’ju duhet financim. Në vazhdim janë dhënë tetë burime të mundshme:
Vetë-financimi: Investimi i fondeve personale ose partnere, në para ose pasuri.
Para nga miqtë dhe familja Familja dhe miqtë mund të mbështesin startup-in tuaj.
Kredi bankare: Financim tradicional, por mund të kërkojë kontribut në kapital.
Financimi me pjesëmarrje: Përdorni platforma online për financim nga turma (crowdfunding).
Engjujt e biznesit: Investitorë privatë që besojnë në projektin tuaj.
Inkubatorët e biznesit: Ofrojnë mbështetje financiare dhe udhëzime.
Garat për startup-e: Shfaqni idenë tuaj inovative.
Mbështetja publike: Në varësi të vendndodhjes suaj, aksesoni mbështetjen e qeverisë për startup-e.
Tani, ju jeni gati të nisni ndërmarrjen tuaj sociale dhe të filloni një udhëtim frymëzues për ta bërë botën një vend më të mirë. Qëndroni të përkushtuar dhe të motivuar!
Si përfundim, ne rekomandojmë shumë të kërkoni mbështetje nga një inkubator.
Ato ofrojnë ekspertizë të paçmuar, duke ndihmuar në transformimin e idesë suaj premtuese në një ndërmarrje sociale që do të lulëzojë. Do të merrni udhëzime të personalizuara dhe akses në këshillat e ekspertëve.
Ata do t’ju pajisin me të gjitha burimet e nevojshme, duke përfshirë objektet, pajisjet, teknologjitë dhe shërbimet e ndryshme.
Dhe anëtarësimi në një inkubator ju lidh me një rrjet sipërmarrësish socialë sikurse ju. Ky shkëmbim idesh mund t’ju çojë në mundësi të reja brenda industrisë tuaj.
Për të mësuar më shumë rreth RISE Journey, një program rajonal mbështetës për ndërmarrjet sociale në fazat e tyre të hershme, eksploroni seksionin tonë “Dokumentimi”. Programi ynë është i aksesueshëm përmes gjashtë inkubatorëve në Ballkanin Perëndimor, duke ju fuqizuar në rrugëtimin tuaj drejt suksesit të sipërmarrjes sociale.